BB: Tre drejtimet për ndërhyrje afatshkurtra në skemën e pensioneve
Banka Botërore vlerëson se skema publike e pensioneve në Shqipëri mund të përmirësohet edhe pa reforma të thella, përmes masave të shpejta që adresojnë dobësitë kryesore të sistemit kontributiv.

Rritja e presionit për pagesën e kontributeve
Në dokumentin e fundit “Rritja e Qëndrueshmërisë Fiskale”, Banka Botërore thekson se zgjerimi i bazës së kontribuuesve dhe rritja e rregullsisë së pagesave janë kushti kryesor për pensione të mjaftueshme dhe financiarisht të qëndrueshme. Një problem serioz mbetet dalja e parakohshme nga tregu i punës dhe përhapja e punës informale.
Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për personat që dolën në pension në vitin 2022, kontributi i fundit mesatar ishte paguar në vitin 2013, rreth nëntë vite para daljes në pension. Ky hendek pasqyron rënien e pjesëmarrjes në tregun e punës në moshat mbi 50 vjeç dhe nevojën për politika që nxisin qëndrimin më gjatë në punësim formal. Përvoja e vendeve të OECD-së dhe Bashkimit Europian tregon se trajnimi i të rriturve dhe heqja e barrierave për punonjësit në fund të karrierës japin rezultate pozitive, ndërsa për Shqipërinë kërkohet një analizë më e thelluar e këtij segmenti të tregut të punës.
Mbështetje sociale për ata që nuk plotësojnë kushtet
Banka Botërore paralajmëron se rritjet e forta të pensioneve minimale apo indeksimet progresive mund të dëmtojnë perceptimin e drejtësisë në sistem dhe të ulin nxitjen për pagesën e kontributeve. Kjo rrezikon të përforcojë nën-raportimin e pagave, i cili sipas krahasimeve mes të dhënave të ISSH-së dhe Anketës së Forcës së Punës është tashmë i përhapur. Në vend të rritjeve të përgjithshme të pensioneve, BB sugjeron që familjet me të ardhura të ulëta të mbështeten përmes skemave të ndihmës sociale, pa shtrembëruar logjikën kontributive të pensioneve.
Një sfidë e veçantë mbetet mbulimi i ulët në zonat rurale, ku pavarësisht subvencioneve, numri i kontribuuesve aktivë ka rënë në rreth 25 mijë persona në vitin 2022. Zhvillimet pas ndryshimeve të vitit 2024 tregojnë se pensioni social ka dekurajuar kontributet, ndërsa heqja e tij shihet si e parealizueshme politikisht. Në këtë kuadër, fokusi pritet të jetë te stimuj më efektivë, thjeshtimi i procedurave, komunikimi më i mirë dhe rishikimi i skemave vullnetare. Edhe pensionet private, ndonëse në rritje, mbulojnë më pak se 3% të të punësuarve, për shkak të fleksibilitetit të ulët dhe mungesës së përfitimeve afatshkurtra.
Skemë e posaçme për emigrantët
Migracioni i lartë mbetet një faktor kyç që rëndon mbi sistemin e pensioneve. Mbi 2.2 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, shumica në moshë pune, duke rritur raportin e varësisë së të moshuarve dhe duke ngushtuar bazën e kontribuuesve. Banka Botërore thekson nevojën për skema të posaçme sigurimesh shoqërore për emigrantët, të cilat të ofrojnë mbrojtje jo vetëm për pensionin, por edhe për rreziqe të tjera sociale.
Ndonëse ekzistojnë disa marrëveshje dypalëshe për transferimin e të drejtave, kërkohet koordinim më i mirë i të dhënave, projeksione afatgjata dhe skema vullnetare më të përshtatura për realitetin e emigrantëve. Sipas Bankës Botërore, një rol të rëndësishëm luan edhe edukimi dhe komunikimi publik mbi pensionet. Rënia e viteve të kontributeve tek pensionistët e rinj tregon mungesë ndërgjegjësimi për lidhjen mes kontributeve dhe nivelit të pensionit. Instrumente si kalkulatorët e pensioneve, që parashikojnë përfitimet bazuar në historikun individual të kontributeve, mund të rrisin transparencën, besimin dhe nxitjen për pjesëmarrje më të madhe në sistem, duke forcuar qëndrueshmërinë e tij në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






